Nga 16 shtatori kur zyrtarisht ka filluar të zbatohet kjo marrëveshje, rreth 1500 maune me mallra serbe kanë hyrë në Kosovë, ndërkaq rreth 20 maune me mallra ndërtimore dhe ushqimore nga Kosova kanë depërtuar në Luginën e Preshevës, shkruan Zëri.
Nga dita kur ka filluar të zbatohet marrëveshja thuajse çdo ditë në Kosovë kanë hyrë nga 125 maune me mallra serbe. Ndërkaq nga Kosova për në Serbi ka kaluar nga një maune.
Zëdhënësi i Doganave Adriatik Stavileci ka bërë të ditur se maunet nga Kosova kanë kaluar në Serbi përmes pikës kufitare të Dheu i Bardhë.
Sipas tij, nga Kosova për në Serbi kanë eksportuar kompania “Fluidi”, “Sharrcem” si dhe Fabrika e radiatorëve nga Gjilani.
Në anën tjetër ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të bizneseve në vend, sipas kësaj gazete, thonë se prodhuesit kosovarë edhe më tej do ta kenë shumë të vështirë që t’i eksportojnë prodhimet e tyre në tregun serb.