Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka njoftuar për disa përditësime në procedurat e udhëtimit, të cilat kanë hyrë në fuqi nga 1 prilli 2026, me synim përshpejtimin dhe lehtësimin e procesit të fluturimeve, përcjell albinfo.ch.
Sipas njoftimit zyrtar, udhëtarët këshillohen të përdorin check-in online dhe të mbajnë kartën e imbarkimit në telefon ose të printuar. Pasagjerët pa bagazh të regjistruar mund të shkojnë direkt në portën e nisjes.
Po ashtu, është theksuar se pasagjerët duhet të paraqiten në aeroport të paktën tri orë para nisjes së fluturimit, për shkak të procedurave të imbarkimit dhe mbylljes së check-in-it në kohë.
“Aeroporti u bën thirrje të gjithë pasagjerëve që të respektojnë oraret e përcaktuara sipas politikave të linjave ajrore”, thuhet në njoftim.
Autoritetet gjithashtu kanë kërkuar që gjatë regjistrimit online të plotësohen saktë të dhënat personale dhe dokumentet e udhëtimit, pasi gabimet mund të shkaktojnë vonesa ose probleme gjatë imbarkimit.
Udhëtarëve u rekomandohet të informohen paraprakisht për fluturimet e tyre dhe të ndjekin udhëzimet e linjave ajrore për një udhëtim më të shpejtë dhe më të lehtë./Albinfo.ch