Personat me nevoja të veçanta sërish janë përballur me sfida të vërteta në qendrat e votimit. Ata nuk kanë qasje të barabartë sikur të gjithë qytetarët e tjerë, për të votuar në qendrat e tyre. Me shumë mundim arriti të votojë Hajriz Nuli, e këtë e bëri pasi njerëz vullnetmirë i ndihmuan atij të ngjitej në katin e dytë të shkollës “Ali Sokoli”, bashkë me karrocën e tij.
Njëjtë kishte bërë edhe në zgjedhjet e 11 qershorit, ato të 22 tetorit e sërish tash. Thotë se ka bërë disa herë kërkesë që t’i mundësohet një formë tjetër votimi, por asgjë nuk ka ndryshuar.
Edhe vetë menaxheri i qendrës së votimit, Hilmi Retkoceri, thotë se është për të ardhur keq që në shekullin 21 qytetarët nuk mund të kenë qasje të barabartë për votim. Problemet e tilla te persona me nevoja të veçanta paraqiten edhe në shumë qendra të tjera, meqë shumica e shkollave janë dykatëshe e pa një hapësirë të veçantë për raste të tilla.