Së fundmi, tri raste të reja me koronavirus janë shënuar në komunën e Prishtinës.
Drejtori i Shëndetësisë, Bujar Gashi, thotë se IKSHPK i ka njoftuar se tre të infektuarit janë raste kontakti të personave të prekur më parë me COVID-19, por pa u treguar me saktësi se prej cilave kontakte rrjedhin këto raste.
“Me këto tri rastet e reja, përsëri bëhen 24 raste aktive me COVID-19 në komunë e Prishtinës”, tha ai.
Po ashtu, Gashi ka treguar edhe lagjet e Prishtinës ku janë aktive rastet me koronavirus.
“Këto raste janë të shtrira në lagjet: Ulpiana, Dardania, Kodra e Trimave dhe një lagjeje tjetër që është mes Kalabrisë dhe Arbërisë. Pra, këto janë katër lagjet që e kanë numrin më të madh të qytetarëve me COVID-19 pozitivë”, ka thënë Gashi.
Gjithashtu, ai shtoi se në institucionet publike zbatimi i rekomandimeve është në nivel të duhur, por sipas tij, këto rekomandime nuk po zbatohen në nivel të kënaqshëm edhe në pjesët e tjera. /Albinfo.ch