Dje ka arritur në Zvicër, për një vizitë zyrtare, presidenti i Izraelit Shimon Peres. Presidentja federale e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey e ka pritur presidentin izraelit në Gjenevë.
Në fokus të bisedimeve të dy presidentëve kanë qenë zhvillimet aktuale në botën arabe dhe procesi paqësor në Lindjen e Afërme, njofton portali i televizionit zv iceran sf1.
Calmy Rey është zotuar se Zvicra do të ju sigurojë ndihma humanitare shteteve arabe të përfshira në trazira. Ajo ka shfaqur shpresën se lëvizjet e atjeshme që kanë burimin në varfërinë dhe padrejtësinë që mbretëron në atë regjion, po shkojnë në drejtim të demokratizimit.
Më tutje, Peres dhe Calmy-Rey kanë biseduar edhe për bashkëpunimin shkencor në mes të dy shteteve.
Sot, në kuadrin e vizitës së kreut të shtetit izraelit në Zvicër, do të bëhet edhe nënshkrimi në mes të Universitetit Politeknik Federal të Lozanës dhe atij të Jerusalemit, i një marrëveshjeje bashkëpunimi lidhur me studimin e trurit.