Si mjek me profesion, ministri federal i punëve të jashtme, Ignazio Cassis nuk përjashton kategorikisht vaksinimin e detyrueshëm për të luftuar pandeminë e koronës. Vaksinimet ishin një nga mjetet më të suksesshme në historinë e mjekësisë, thotë ai, transmeton albinfo.ch.
“Ne kemi zhdukur kështu (përmes vaksinimit) sëmundjet si lija dhe poliomieliti” është shprehur ministri Cassis në një intervistë për mediat zvicerane.
Megjithatë, për momentin, vaksinimi i detyrueshëm nuk justifikohet për pandeminë e koronës. Nuk do të ishte “proporcionale”. Një detyrim i tillë do të ishte një ndërhyrje masive në lirinë personale. Megjithatë, nëse numri i vdekjeve rritet papritur, duhet menduar edhe për vaksinimin e detyrueshëm, si mjetin e fundit.
Cassis pranon se procesi i vaksinimit përforcues duhet të ecë më shpejt. Demokracia e drejtpërdrejtë është një gjë e mrekullueshme, por jo domosdoshmërisht instrumenti më i mirë për t’u përballur me një pandemi, theksoi ai.
- Ignazio Cassis është zgjedhur ditë më parë President Federal i Zvicrës për mandatin njëvjeçar. Funksionin e merr më 1 janar 2022.