Mesut Ozil dhe Ilkay Gundogan janë takuar me presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, pas kritikave të pasuara me shfaqjen e fotografive të tyre me presidentin e Turqisë, Erdogan.
Partia AK, që është në pushtet në Turqi, publikoi fotot e futbollistëve me presidentin Rexhep Taip Erdogan, në një moment të rëndësishëm për vendin, që është para zgjedhjeve.
Por, ky veprim u kritikua ashpër nga disa politikanë gjermanë, që akuzuan Ozil dhe Gundogan se po përpiqen të mbështesin Erdoganin, pavarësisht se ata e mohuan tërësisht këtë çështje, përcjell albinfo.ch.
Dy futbollistët gjermanë me origjinë turke, i dhanë Erdoganit fanellat e tyre të nënshkruara, gjatë një eventi në Londër javën e kaluar.
Menjëherë pas takimit, reaguan edhe trajneri i Gjermanisë, Joachim Low dhe kreu i Federatës Gjermane të Futbollit, të cilët morën në mbrojtje futbollistët, në prag të Botërorit rus.
“Ishte e rëndësishme që të dy ata të pastrojnë keqkuptimet. Si Ozil, edhe Gundogan u shprehën qartësisht se ndihen gjermanë dhe se ai gjest nuk kishte për qëllim të dërgonte sinjale politike”, është shprehur Steinmeier.