42 gjyqtarë dhe 14 prokurorë të komunitetit serb nuk i janë përgjigjur sot ftesës së presidenti të Kosovës, Hashim Thaçi për t’i dekretuar në sistemin gjyqësor kosovar. Ky proces i dekretimit, sipas një komunikatë për media lëshuar nga Zyra e Presidentit të Kosovës, është penguar nga Beogradi zyrtar, i cili po e sfidon respektimin e Marrëveshjes për Drejtësinë.
“Zyra e Presidentit ishte e gatshme të presë ardhjen dyzet e dy (42) gjyqtarëve dhe katërmbëdhjetë (14) prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës, të cilët, pas dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, do të duhej t’i bashkohen sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial të Republikës së Kosovës. Sot, dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë, nuk ka ndodhur “për shkakun që kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë nuk erdhën për dekretim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës, sipas Presidencës kosovare, është edhe një nga masat afirmative, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i ndërmarrin për të arritur një barazi të plotë dhe efektive të pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës, “ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore. Akti i sotëm i betimit kishte këtë qëllim, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Drejtësi të arritur në Bruksel, më datën 10 shkurt 2015”.
Ata nuk erdhën ngaqë, sipas Presidencës, u penguan nga Republika e Serbisë, me qëllimin e vetëm që të mos lejojë integrimin e tyre në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës.
“Është ky edhe një hap nga hapat e shumtë që Republika e Serbisë ndërmerr kundër qytetarëve tanë, ngase inkuadrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë në Republikën e Kosovës, ka rol të madh në jetën e komuniteteve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi”, thuhet në komunikatën për emdia lëshuar nga Presidenca.
Njëkohësisht, veprimi i sotëm i pengimit të kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë që të vinë sot për dekretim tek Presidenti, siç thuhet në komunikatë, është edhe një dështim dhe paaftësi tjetër e BE-së si ndërmjetësuese në këtë proces të zbatimit të Marrëveshjes për Drejtësi.
“Pavarësisht këtij dështimi të qëllimshëm të orkestruar nga Serbia, Republika e Kosovës do të vazhdojë të funksionojë, bazuar në parimet kushtetuese të gjithë-përfshirjes, prandaj ftojmë edhe një herë palët e Marrëveshjes për Drejtësi që të kryejnë obligimet e tyre. Republika e Kosovës ka përmbushur obligimet e saj në çdo aspekt”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.