Divizioni për të Huaj në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ka njoftuar se nga sot ka rifilluar aplikimi për caktimin e termineve për leje qëndrimi për shtetasit e huaj përmes platformës digjitale e-Kosova.
Sipas njoftimit, kjo mundësi synon të lehtësojë procesin e aplikimit, të eliminojë pritjet e gjata dhe të sigurojë respektimin e të drejtave të shtetasve të huaj që kërkojnë leje qëndrimi në Republikën e Kosovës.
“Kjo mundësi ka për qëllim lehtësimin e procesit të aplikimit për leje qëndrimi nga shtetasit e huaj, eliminimin e pritjeve të gjata përmes rezervimit të terminit dhe respektimin e të drejtave të shtetasve të huaj,” thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.
Tutje, bëhet e ditur se rezervimi i terminit është i domosdoshëm për të gjithë ata që kërkojnë leje të re qëndrimi apo duan të vazhdojnë lejen aktuale, në mënyrë që të respektohen afatet ligjore.
“Qytetarët – shtetasit e huaj kanë mundësinë të respektojnë afatet ligjore, para se të kalojnë ditët e caktuara të qëndrimit (90 ditë), apo për ata që vazhdojnë lejen e qëndrimit, të organizojnë kohën e terminit brenda afatit 30 ditë para skadimit të saj,” thuhet në njoftim.
Ministria ka theksuar përkushtimin e saj për shërbime cilësore dhe digjitalizim të proceseve, duke u shprehur se po punon vazhdimisht për të krijuar lehtësira për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.