Një ndjekje policore, patrullën policore të Gjenevës e dërgoi deri në truallin francez. Sipas deklaratës së zëdhënësit të policisë së Gjenevës, Jean-Philippe Brandt, gjatë këtij aksioni një police është lënduar rëndë, ka konfirmuar për “Tribune de Genève”, transmeton Albinfo.ch.
Oficerët policorë e kishin ndjekur një hajn të auto kampshtëpizave nga Coppet e deri në Divonne. Ndjekja përfundimisht ka përfunduar në lokacionin francez Val Thoiry, kur i dyshuari iu vërsul makinës së policisë.
Policja e plagosur urgjentisht kishte nevojë për ndihmën e parë, por është dashur të presë 30 minuta për shërbimin e ambulancës franceze, që ajo të arrijë në vendin e ngjarjes. Nga ana tjetër, mjeku i emergjencës ka ardhur pas një ore në vendngjarje. Siç pohon Brandt, emergjenca zvicerane do të kishte ardhur shumë më shpejt tek vendi i aksidentit, por francezët kanë refuzuar ndihmën e huaj.
Këtë konstatim e mohojnë shërbimet e shpëtimit. Forcat zvicerane dhe franceze kishin vendosur me marrëveshje të përbashkët.
Zyrtarja policore tashmë është duke u trajtuar në Spitalin universitar të Gjenevës, dy persona janë arrestuar dhe autoritetet franceze kanë hapur hetimet e mëtutjeshme.