Sipas burimeve të Gazetës Express, zyrtarja policore V.B. dyshohet se ka pasur probleme psikike dhe se para pak muajsh i është nënshtruar edhe një trajtimi psikik, përcjell albinfo.ch.
Pas kësaj, sipas burimeve, ishte rekomanduar që tashmë të ndjerës t’i ulej edhe gradimi, por që nuk ishte marrë masë për suspendimin e saj nga puna. Ndërkohë tashmë Prokuroria ka filluar të hetojë rastin mbi dyshimet rreth gjendjes psikike të polices, e cila sot dyshohet se ka vrarë 4 anëtarët e familjes dhe veten.
Në Gjilan tashmë ka filluar edhe nxjerrja e trupave të pajetë të familjes Bllaca.
Ky është versioni zyrtar i deritanishëm i Prokurorisë Themelore të Gjilanit.
Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se sot rreth orës 13 nga një zyrtare policore janë vrarë 4 persona – anëtarë të familjes së saj dhe në fund ajo ka kryer vetëvrasje.
Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘’Bujanina’’ në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa pastaj ka kryer vetëvrasje.