Nënshtetësia e Serbisë nuk u bëri punë, pasi patentë shoferët kosovarë nuk u pranohen andej kufirit.
Për më tepër, iu shqiptohen gjoba mbi 1000 euro. Xhelal Salihu, i cili problemin e patentës nuk e pati në asnjë shtet tjetër, u gjobit të shtunën mbrëma.
“Gjoba më thanë se është mbi 1 mijë euro, se kam hyrë me leje të Kosovës”, tregoi ai për Klan Kosovën.
E policia serbe nuk u mjaftua vetëm me këtë. Problemet e tilla nuk janë të reja, veçse pala serbe i shkakton kohë pas kohe, përcjell albinfo.ch.
Njëjtë i kishte ndodhur edhe Gëzim Shaqirit në muajin shkurt.
“Duke u kthyer nga Presheva më kanë ndalur dhe më kanë dënuar me arsyen se nuk vlen leja e Kosovës”, tregon ai.
Megjithatë, këto ndalesa del të jenë të momentit, pasi për dikë nuk ka pasur telashe.
“Nuk më ka ndodhur të takohem me policë”, thotë një qytetar.
Edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajli, edhe zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, thonë se nuk kanë dëgjuar më herët për ndalesa të tilla.