Policia e Kosovës po kërkon deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ndaj të cilit Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër që të sillet me detyrim në seancën e sotme.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë parë sot në orët e para të mëngjesit pranë banesës së deputetit të Kosovës Albin Kurti në afërsi të parkut të qytetit. Siç merr vesh ‘KALLXO.com’, Policia nuk e ka gjetur Kurtin në banesën e tij.
Po ashtu Policia e kanë kërkuar Albin Kurtin edhe në zyret e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.
Katër deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje pritet që sot të paraqiten para Gjykatës Themelore të Prishtinës lidhur me hedhjen e gazit në Kuvendin e Kosovës.
Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj – Bujupi dhe Faton Topalli pritet që të paraqiten në gjykim për hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës.
Seanca e fundit lidhur me këtë rast ishte paraparë të mbahej më 10 tetor, por ishte shtyrë në mungesë të Albin Kurtit dhe Donika Kadaj-Bujupit.