Më 16 tetor të këtij viti, KALLXO.com në një hulumtim të publikuar ka treguar se Morena Taraku ka importuar një veturë të tipit “Bently” në Kosovë dhe se e njëjta veturë ishte deklaruar nga pronarja si e re por që Dogana e Kosovës kishte hasur se ka pasur kilometra të kaluara.
Taraku ka tentuar t’i shmanget tatimit doganor, vlera e së cilit ka qenë 14 mijë e 118 euro.
Policia e Kosovës, në një përgjigje për KALLXO.com ka treguar se vetura e Morena Tarakut është sekuestruar nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar gjatë ditës së sotme.
Sekuestrimi është bërë nën arsyetimin se vetura e tipit “Bently” ka qenë në kërkim ndërkombëtar.
“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria kundër Krimit të organizuar sot gjatë ditës ka konfiskuar një automjet të tipit “Bentley” me targa Gjermane, e cila ka qenë në kërkim ndërkombëtarë. Kjo veturë e konfiskuar nga Policia e Kosovës është në procedurë të verifikimit”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për KALLXO.com, përcjell albinfo.ch