Dhjetëra motoristë shqiptarë nga “Plisat” për nder të 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës kanë parakaluar me motorët e tyre të stolisur me flamuj nëpër disa qytete të Zvicrës.
Stacioni i tyre i parë ishte Konsullata e Kosovës në Cyrih, ku janë pritur nga shefi i misionit të Konsullatës në Cyrih, Sami Kastrati dhe nga dy konsujt: Shukrije Ramadani dhe Bahrije Sylejmani.
Diplomatët kosovarë kanë marrë nga një fanellë si dhuratë nga “Plisat”
Pas Cyrihut, karvani i motoristëve u nis për Bernë për të takuar edhe ambasadorin e Republikës së Kosovës, Sami Ukellin. Në Bernë u priten nga konsulli kosovar, Xhenis Haxhmehmeti.

Me rastin e këtij përvjetori “Plisat” në shenjë simbolike kanë dhuruar nga një plis për të gjitha familjet e dëshmorëve nga Zvicra që u flijuan në Kosovë.
Po ashtu “Plisat” kanë nisur një aksion për të ndërtuar një shtëpi për veteranin e UÇK-së, Naser Baqaj, i cili jeton në kushte të mjerueshme në Drenoc të Kosovës.

