Në Bad Zwischenhahn të Gjermanisë ka ndodhur të enjten një tragjedi familjare. Kujtim N., 25 vjeçar ka qëlluar me armë zjarri ish bashkëshorten e tij Teuta F. 24 vjeçe. Ata kishin jetuar pesë vite bashkë dhe kishin djalin e përbashkët, V. 4 vjeçar. Teuta punonte nëpunëse në një zyrë ndërsa i shoqi ishte i papunë.
Çifti kohëve të fundit jetonte i ndarë, pas dhunës që kishte mbretëruar me vite mes dy bashkëshortëve. Ndërsa të shtënat e djeshme me armë kanë rrezikuar seriozisht jetën e Teutës.
Rreth orës tetë të mëngjesit, Teuta po kthehej me veturë nga kopshti i fëmijëve ku e kishte dërguar vogëlushin. Në gjysmë të rrugës po e priste ish bashkëshorti po ashtu me veturë. “I dyshuari ka shtënë disa herë me armë mbi viktimën e tij. Dy nga plumbat e kanë qëlluar atë në gjoks.”, thotë zëdhënësi i policisë.
Krimi kishte ndodhur para syve të kalimtarëve dhe nxënësve të tronditur. Në ikje e sipër nga vendi i krimit, Kujtimi shkakton një aksident. Pastaj e kërcënon pronaren e një makine të cilën nën kërcënimin e revoles e nxjerr me dhunë nga makina, me të cilën pastaj mori arratinë.
Policia është në kërkim të dorasit i cili ka ikur me makinën me regjistrimin WST-FL 33. Policët supozojnë se ai mund të jetë strehuar te të afërmit e tij në Nordrhein-Westfallen, ku edhe ka jetuar më parë.
Viktima është sjellë me helikopter në spital dhe, pas një operacioni emergjent është jashtë rrezikut për jetë.