Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar përvjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO ndaj caqeve ushtarake e policore të Serbisë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së aleancave ndërkombëtare, përcjell albinfo.ch.
Në një postim në Facebook, Osmani ka vlerësuar se ndërhyrja e NATO-s ishte vendimtare në një kohë kur, sipas saj, populli i Kosovës përballej me shfarosje nga regjimi serb.
“27 vjet më parë, kur populli i Kosovës përballej me shfarosje nga Serbia gjenocidale, NATO veproi. Kosova nuk harron. Aleancat që mbrojnë lirinë duhet t’i ruajmë po aq sa vetë lirinë”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka shpërndarë edhe një pjesë nga fjalimi i ish-presidentit amerikan Bill Clinton, i cili në atë kohë dha urdhrin për fillimin e fushatës ajrore.
Po ashtu, presidentja ka bërë homazhe pranë pllakës memoriale të ushtarëve të KFOR, të rënë gjatë shërbimit në Kosovë, duke nderuar kontributin e tyre për paqen dhe sigurinë në vend./Albinfo.ch