Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se kryetari i qendrës së saj në Skenderaj, Hysni Mehani, është sulmuar fizikisht gjatë së enjtes në një kafene në qendër të qytetit, përcjell albinfo.ch.
Sipas reagimit të Lëvizja Vetëvendosje, Mehani, i cili është edhe zëvendësministër në Ministrinë e Financave – është sulmuar nga zyrtari i Partia Demokratike e Kosovës dhe ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, së bashku me shoqëruesit e tij.
Në reagim thuhet se Mehani fillimisht është goditur me grusht dhe më pas edhe me gotë në kokë. Po ashtu, sipas këtij subjekti politik, sekretari i qendrës së VV-së në Skenderaj, Bahri Zabeli, është sulmuar kur ka tentuar të ndalojë përshkallëzimin e situatës.
Vetëvendosje ka bërë të ditur se Mehani ka marrë trajtim mjekësor dhe ka kërkuar nga organet e rendit që rasti të trajtohet me urgjencë dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve.
Ndërkohë, Mehani ka reaguar edhe në rrjetet sociale duke thënë se është sulmuar nga Lushtaku dhe, siç është shprehur ai, “banda e tij”. Ai ka shtuar gjithashtu se gjatë incidentit i është marrë edhe telefoni personal dhe ka kërkuar nga policia të kujdeset për sigurinë e familjes së tij.
Nga ana tjetër, Lushtaku ka reaguar duke thënë se ndaj tij pati provokime nga përkrahës të pushtetit. Sipas tij, etiketimet ndaj tij kanë shkaktuar reagimin e qytetarëve.
Deri më tani nuk ka pasur një deklaratë zyrtare nga Policia e Kosovës lidhur me incidentin./Albinfo.ch
