Interpelanca e kryeministrit Haradinaj, e thirrur nga Vetëvendosja e LDK-ja, në lidhje me vendimin e Qeverisë për pagesën e 53 milionë eurove shtesë për kompaninë ”Bechtel & Enka” në kontratën për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” është përcjellë me akuza e kundërakuza nga pozita e opozita.
Ish-ministri Infrastrukturës, tani deputet i LDK-së, Lutfi Zharku, kërkoi shkarkimin e ministrit Pal Lekaj, duke thënë se ndarja e këtyre milionëve nuk ka bazë ligjore.
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Haradinaj, i cili tha se ish-ministri Zharku është fajtor për 53 milionët që Kosova i detyrohet kompanisë “Bechtel&Enka”.
“E kemi gjetur në tavolinë një marrëdhënie të borxhit fillestar prej 14.7, e kemi gjetur se nuk kanë pasur guxim. Sot ju tregoj votuesve të LDK-së që e kanë pranuar këtë borxh. Ne është dashur të gjejmë zgjidhje si ta vazhdojmë punën e të mos dënohemi, apo ta lëmë rrugën në gjysmë. Ne e kemi ripranuar një marrëdhënie”, ka thënë Haradinaj.
E deputeti i VV-së, Liburn Aliu, deklaroi se duhet të kërkohet përgjegjësi dhe analizë e hollësishme për 53 milionë eurot.