Nga janari deri në qershor të këtij vitit, dërgesat e mërgimtarëve në Kosovë kanë arritur në 337 milionë euro, duke shënuar kështu një ngritje të theksuar prej 15,8 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Kështu thuhet në statistikat e fundit publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
Bazuar në të dhëna të Agjencisë së Statistikave të Kosovës pjesa dërmuese e remitancave në Kosovë shpenzohen për konsum, raporton Zëri. Këto dërgesa vazhdojnë të konsiderohen si stabilizator i gjendjes sociale në Kosovës, edhe pse konsiderohen si të ardhurat dytësore buxhetore.
Ndryshe, nga viti 2004 deri në dhjetor të vitit 2014, mërgimtarët kanë dërguar në Kosovë rreth 6 miliardë euro remitenca. Shumica e këtyre dërgesave kanë shkuar në ndërtimin e objekteve, në konsum, në shëndetësi dhe shumë pak në investime ekonomike prodhuese. Analistët kërkojnë që remitencat të orientohen në zhvillim ekonomik.