Skip to content

Për Etritin në Parlamentin Kantonal të St. Gallenit

“Me angazhim të të gjithëve nga pak, do të bëjmë që përmes Etritit, të kemi një gjysmë zëri shqiptar në Parlamentin e Kantonit St. Gallen”

Etrit Hasler është një personalitet i njohur shqiptaro-zviceran nga St. Galleni, Zvicra lindore. Si politikan dhe artist i profiluar tashmë, ai i tejkalon kufijtë e regjionit ku jeton. Prej vitesh Hasler merret me politikë, gazetari dhe me gjininë specifike të poezisë “slam poetry”. Me këtë të fundit, Etriti, që është biri i një shqiptari dhe një zviceraneje, zë një vend nderi në nivel të Zvicrës.

Në sferën politike ai ka një bagazh të rëndësishëm të këshilltarit në Kuvendin e qytetit të St. Gallenit. Ndërsa tash Hasler synon vendin e këshilltarit në nivel kantoni.

Për të mbështetur këtë synim, në St. Gallen është themeluar një grup përkrahës i kandidaturës së tij. Në një letër dërguar medieve shqiptare ky grup bën të ditur se më 11 mars të këtij viti do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin e Kantonit të St. Gallenit. Në qarkun e St. Gallenit do të garojë edhe Partia Socialdemokrate e Zvicrës.

“Në listë të kësaj partie është edhe kandidati Etrit Hasler, i cili me angazhimin dhe guximin e tij, ka bërë që shpeshherë të jetë krah i fuqishëm i të huajve në Zvicër, dhe padyshim krah i forte edhe i komunitetit shqiptar”, thuhet më tej në letër.

Në vazhdim, ecuria që duhet ndjekur për të votuar, sipas grupit në fjalë. “Etrit Haslerin ju mund ta votoni 2 herë. Votimi bëhet duke shkruar emrin e tij në fund të listës përkatëse, së bashku me numrin rendor, dhe duke fshirë me një vijë stilolapsi – tej e përtej, një emër të një kadidati tjetër nga lista. Nëse i lexoni me kujdes emrat e kandidatëve, dhe pasi t`i keni lexuar të gjithë emrat, nuk do ta keni të vështirë ta gjeni emrin që duhet… Para 4 vitesh, Etritin, pak vota e ndanin për të zënë vend në parlament.

Kësaj radhe, me angazhim të të gjithëve nga pak, do të bëjmë që përmes Etritit, të kemi një gjysmë zëri shqiptar në Parlamentin e Kantonit St. Gallen”, thuhet në letrën që ka dërguar Grupi për mbështetjen e kandidaturës së Etrit Haslerit. Për mbështetje më konkrete, të interesuarit mund të kontaktojnë në Tel.: 076 269 35 00