Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës sugjeron që të gjenden mënyra për mbajtjen e një regjistrimi të ri, i cili duhet të përgatitet mirë nga institucionet relevante.
Kryesia e Akademisë është shprehur se që nga shpallja e afatit të regjistrimit u pa qartë se procesi nuk ishte i përgatitur si duhet dhe bartte me vete rrezikun e dështimit.
Më herët kryesia e Akademisë kishte kërkuar shtyrjen e afatit të regjistrimit, për shkak se tashmë ishin vërejtur përgatitje të pamjaftueshme profesionale, teknike dhe organizative, si dhe tendencat për politizimin e procesit.
“Shkaqet e dështimit të regjistrimit tashmë janë të njohura për profesionistët e përfshirë dhe të papërfshirë në këtë proces, por edhe për opinionin e gjerë, kështu që nuk mendojmë se është e nevojshme të përsëriten me këtë rast”, thotë kryesia e Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.