Gjatë vitit 2014 në Kosovë janë alokuar 212.4 milionë euro donacione, që kanë pasur për fokus zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit në vend. Donatorët më të mëdhenj kanë mbetur të pa ndryshueshëm, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kështu ka deklaruar ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, i cili prezantoj Raportin Vjetor për Koordinimin e Donacioneve për vitin 2014. “Donatorët kanë mbështetur sektorët që janë prioritet për Qeverinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri Çollaku në këtë takim.
Shefi i Njësisë Politike, Ekonomike dhe Integrimit Evropian në Zyrën e BE-së në Kosovë, Thomas Gnocchi, ka theksuar se sipas Raportit Vjetor mbi aktivitetet e donatorëve, BE-ja është donatori më i madh në Kosovë, me pothuajse gjysmën e të gjitha fondeve të cilat i merr Kosova.
“Për vitet 2007-2013, janë alokuar 637. 6 milionë euro që e bën Kosovën përfituesin më të madh neto të asistencës së BE-së për kokë banori (354,2 euro për kokë banori). Për periudhën 2014-2020, në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Para-Anëtarësimit është ndarë totali prej 645 milionë euro”, ka thënë Gnocchi.
Ndër të tjera, Gnocchi ka theksuar se BE-ja ka mbështetur masat për efiçiencë të energjisë në 63 shkolla nëpër Kosovë dhe 2 spitalet në Prishtinë, ka zgjeruar impiantin për trajtimin e ujit në Shipol të Mitrovicës dhe gjithashtu ka shtuar se fondet e BE-së janë përdorur për rehabilitimin, zgjerimin dhe përmirësimin e sistemit të ngrohjes qendrore në Prishtinë, i cili ka përmirësuar ngrohjen për mbi 11,000 ekonomi familjare.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Greg Delawie, e konsideron të nevojshme që në Kosovë të ngritët qëndrueshmëria ekonomike, ndërsa progresi, sipas tij, është i nevojshëm në të gjitha shtyllat e Strategjisë së zhvillimit kombëtar.
“Kosova duhet të zhvillojë resurset njerëzore, të përmirësojë sundimin e ligjit, të rrisë konkurrencën në sektorin privat dhe të zhvillojë infrastrukturën. Këto shtylla rreshtohen në prioritetet e ambasadës sonë të cilat janë përmirësimi i sundimit të ligjit, siguria rajonale dhe zhvillimi ekonomik”, deklaroi ai.
Ndërkaq kryeministri Isa Mustafa, që ishte i pranishëm në këtë takim, tha se Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm viteve të fundit në çdo sferë të shoqërisë dhe se ky progres, u realizua falë bashkëpunimit dhe ndihmës së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë.