Presidenti Stevo Pendarovski vlerëson lart rolin e Bullgarisë dhe Greqisë për të nxjerrë vendin nga izolimi ndërkombëtar, në të cilin e kishte zhytur, siç thotë ai, regjimi i Nikolla Gruevskit. Në një intervistë për agjencinë bullgare “Bgnes”, Pendarovski thotë se në atë periudhë ishte përdorur propagandë antibullgare dhe me qëllim ishte lënë pas dorë zhvillimi i infrastrukturës mes dy vendeve.
“Nuk është i tepërt kualifikimi që bën shpesh Zoran Zaev për rolin e Boyko Borissovit dhe qeverisë aktuale bullgare kur thotë se bashkë me Tiprasin, ata, bashkë me fuqinë e brendshme këtu, ndihmuan të dalim më shpejt nga izolimi ndërkombëtar… Ne sapo kishim dalë nga një regjim autokrat i Nikolla Gruevskit, i cili nuk ishte vetëm anti-perëndimor, por edhe anti-shqiptar dhe anti-bullgar. Ai ishte devijimi më i madh historik që lideri i VMRO-së historike ta ketë më të afërt Beogradin se Sofjen”, tha Stevo Pendarovski, president.
Pendarovski mendon se BE-ja e ka kuptuar gabimin e tetorit kur nuk dha datë për fillimin e negociatave.
“Në politikë, posaçërisht në politikën ndërkombëtare, është rregull numër një, nëse një organizatë ose shtet më i madh lë hapësirë bosh, atë do ta mbushë një vend tjetër. Në këtë situatë, nëse BE-ja e lë këtë hapësirë, jo vetëm Maqedoninë e Veriut, por edhe gjithë Ballkanin Perëndimor ka vakum strategjik, i cili patjetër do të mbushet nga vende të tjera për një periudhë të shpejtë”, tha Stevo Pendarovski.