Partia Demokratike deklaroi se konfirmimi në detyrë i kryeprokurores Arta Marku konfirmon cenimin e besimit të publikut ndaj procesit të vettingut dhe shembjen e shtyllës kryesore të reformës në drejtësi.
Deputeti Enkelejd Alibeaj tha se konfirmimi i Markut që ai e quajti vegël të kryeministrit Edi Ramës në krye të Prokurorisë është shembjen e shtyllës kryesore të reformës në drejtësi.
“Ne e paralajmëruam këtë vendim politik të vettingut pavarësisht se Arta Marku duhet të shkarkohej për mospërmbushje të kritereve të integritetit moral dhe profesional. Arta Marku duhet të ishte shkarkuar nga detyra të paktën për 5 arsye të forta të argumentuara me fakte të pa kundërshtueshme”, ka thënë ai.
Alibeaj theksoi se nëse procesi i vettingut nuk do të ishte i korruptuar politikisht, sot Arta Marku do të ishte shkarkuar nga detyra.