Në Zvicër në të ardhmen nënave që rrisin fëmijë të vegjël dhe janë në marrëdhënie pune do tu kompensohet koha e kaluar duke ushqyer me gji fëmijët e tyre. Kjo, sipas një rregulloreje të dërguar për miratim në parlament nga SECO (Sekretariati Federal për Ekonomi) parashikohet të funksionojë në këtë mënyrë: nënat do të kompensohen nga shteti brenda një viti për dhënien gji fëmijëve të tyre, në vend pune ose jashtë tij. Rregullorja duhet të bëhet pastaj pjesë e ligjit të punës.
Brenda një orari pune prej më shumë se katër orësh, kompensimi në të holla këtyre nënave do t`u bëhet në lartësinë e pagesës për 60 minuta punë. Ndërsa atyre që punojnë më shumë se shtatë orë në ditë, ky kompensim do tu vlerësohet si 90 minuta punë.
Propozuesi ende nuk e ka një parallogarit se sa do të kushtojë e gjithë kjo. Sipas SECO-s, edhe tash në praktikë dhënia gji fëmijëve gjatë kohës së punës nuk paraqet ndonjë problem të madh. Shumë ndërmarrje tashmë e bëjnë edhe kompensimin në të holla për nënat që u japin gji fëmijëve. Por megjithatë, ajo që nevojitet është një rregullim i qartë i kësaj problematike. Kjo për faktin se në Zvicër ka ndërmarrje të cilat punëdhënësi ua ka shkurtuar të ardhurat nënave që kanë bërë pauzë për t`u dhënë gji foshnjave të tyre.
Por, Federata e Punëdhënësve nuk pajtohet me këtë rregullim të ri. “Mua më duket e tepruar dhe e dëmshme kjo që kërkon rregullorja e re” ka thënë Ruth Derrer Balladore, anëtare e udhëheqjes së kësaj federate. Sipas saj, një pauzë prej 60 minutash brenda një dite të plotë pune, për dhënie gji, e kompensuar nga punëdhënësi, do të ishte plotësisht e mjaftueshme.
Veç kësaj ajo e konsideron mangësi që nuk është shkruar se gratë duhet të jenë në vend të punës gjatë kohës sa u japin gji fëmijëve të tyre. “Kështu si është paraparë, mund të ndodhë që ato gjatë tërë vitit të lëshojnë punën një orë e gjysmë më herët, me pretekst të dhënies gji. Si pikë e fundit, sipas saj do të pësojnë vetë gratë e reja, të cilat, për këtë shkak do të jenë më pak të pranueshme në tregun e punës.