Asnjëherë deri më tash në Zvicër nuk është trashëguar pasuri më shumë se viteve të fundit. Kështu, sipas një studimi të realizuar nga Universiteti i Lozanës dhe ai i Cyrihut, vlera e pasurisë së trashëguar në vitin 2011 në nivel të Zvicrës ka qenë 61 miliardë franga.
Ndërsa një përllogaritje e bërë për vitin 2015 flet madje për 76 miliardë franga.
Nga ana tjetër Këshilli Federal dhe Komiteti për mbështetjen e iniciativës “Të taksohen trashëgimitë milionëshe” deri tash kanë menduar se bëhet fjalë për vetëm 40 miliardë franga.
Me shifrat e reja, edhe fitimet në rast të votimit të iniciativës do të jenë dukshëm më të mëdha, shkruan srf.ch. Kështu, veç tjerash propozohet që me këtë fitim të shtuar të përforcohet financimi i sigurimit pensional dhe të trashëgimisë (AHV/AVS).
Në vitin 2011 pasuritë e trashëguara kanë përbërë 13 për qind të të gjitha të ardhurave në Zvicër ose më shumë se dyfishi i vitit 1975.