Skip to content

Pas vrasjes së terapeutes, nuk ka ditë të lira për të burgosurit

Të premten ka hyrë në fuqi në Gjenevë urdhri që pezullon për kohë të pacaktuar dhënien e ditëve të lira për të gjithë burgosurit

Vrasja nga ana e një të burgosuri e një terapeuteje sociale, trupi i pajetë i së cilës është gjetur të premten në rrethinën e Gjenevës ka shtyrë autoritetet e sigurisë në këtë kanton që të ashpërsojnë masat ndaj personave që vuajnë dënimin në burgjet e këtushme. Kështu, qysh të premten ka hyrë në fuqi urdhri që pezullon për kohë të pacaktuar dhënien e ditëve të lira për të gjithë burgosurit.

Këtë e ka bërë publike udhëheqësi i sektorit të drejtësisë në qeverinë e këtij kantoni, Pierre Maudet. Vendimi në fjalë është reaksioni i parë ndaj arratisjes së të burgosurit nga qendra për terapi sociale “La Pâquerette” e Gjenevës. Siç është raportuar tashmë, ai kishte shfrytëzuar të drejtën e daljes së lirë së bashku me terapeuten e tij sociale, e cila pas kësaj është gjetur e vrarë. Për vrasjen dyshimi i drejtpërdrejtë  bie mbi të dënuarin e përmendur, i cili është zhdukur pa gjurmë.

Maudet ka paralajmëruar edhe hetimet brenda institucionit ku ka ndodhur rasti.

Qendra për terapi sociale “La Pâquerette” në Gjenevë është e specializuar për të burgosurit me dënime të gjata dhe me çrregullime të rënda të personalitetit por që konsiderohet se terapia mund t`i ndihmojë. Një rast i tillë ka qenë edhe i dyshuari për vrasje, që ndodhet në arrati dhe i cili ka qenë i dënuar për dy përdhunime, me dhjetë vjet burg.  

Në opinionin zviceran është ngritur problemi nëse është e lejueshme  që të dënuarit për vepra të rënda penale të lirohen pa përcjellje policore ose jo. Kështu, në magazinën televizive 10vor10, ekspertët e kësaj problematike kanë theksuar se në Zvicrën gjermane kjo gjë prej kohësh është e rregulluar në mënyrë të përpikët. Ndërkohë në atë frankofone mbretëron jë rregullim më liberal, nga i cili ka përfituar edhe i ikuri që dyshohet për vrasjen e terapeutes sociale.