Kuvendi i Republikës së Kosovës ka reaguar pas kritikave të shumta lidhur me ekspozitën e mbajtur në Prishtinë, e cila trajton masakrat gjatë luftës në Kosovë, ku janë evidentuar pasaktësi në të dhënat e prezantuara, përcjell albinfo.ch.
Në një sqarim të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, Kuvendi thekson se mbështet iniciativa që kanë interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave, por pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve.
Sipas Kuvendit, mbështetja institucionale për projekte të tilla nuk mund të interpretohet si miratim i narrativës apo si redaktim i materialeve të paraqitura në ekspozitë.
“Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj”, thuhet në reagim.
Kuvendi gjithashtu thekson se mbrojtja e dinjitetit të viktimave dhe e kujtesës kolektive është obligim i përbashkët institucional dhe shoqëror, duke kërkuar trajtim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm.
Megjithatë, Kuvendi ka bërë të ditur se në këtë rast do t’i adresojë shqetësimet e ngritura tek organizatorët e ekspozitës./Albinfo.ch