Duket se Migrosi është duke i vëzhguar sistematikisht klientët e tij. Një gjë të tillë e tregon një rast i cili është paraqitur në portalin “Zentralplus”, njofton albinfo.ch: Pas blerjes me self skaner, një klient është thirrur në bisedë, pasi dyshohej se gjatë blerjes para dy javësh, ai nuk e kishte paguar një sasi mishi në vlerë prej 50 frangash.
Si dëshmi të këtij veprimi, atij iu treguan incizimet nga video kamera dhe të dhënat nga Cumulus-kartela. Sipas të njëjtit klient, nëpunësi ka mbajtur në dorë një listë të gjatë të kientëve të tjerë që nuk e kanë paguar mallin. Mbetet e paqartë nëse afati për shlyerjen e të dhënave është i caktuar, mirëpo Migrosi e mban të drejtën që t`i ruaj video incizimet si dëshmi për ndonjë parregullsi të mundshme.
Në pretendimin e klientit se në çfarë mënyre është zbuluar, Migrosi i është përgjigjur se Cumulus kartela e kishte tradhëtuar, pasi artikuj të ndryshëm janë nën vëzhgim të përhershëm. Me këtë rast, përfundimi është se Migrosi i vëzhgon në mënyrë sistematike të gjithë klientët e tij.