Për shkak se qyteti i Cyrihut nuk e kishte miratuar për një kohë të gjatë organizimin e festivalit të muzikës shqiptare Alba Festival në terrenin rreth stadiumit Hardturm, ai nuk kishte mundur të zhvillohej në vitin 2023. Por, tani është arritur një marrëveshje për ndryshimin e vendndodhjes, transmeton albinfo.ch.
Organizatorët njoftuan të hënën se presioni politik kishte pasur një efekt, dhe festivalit nën qiell të hapur iu dha një vend i ri në zonën e kazermës (Kasernenareal) të Cyrihut nga 21 deri 23 qershori 2024..
“Zona e kazermës është zgjidhja ideale për ne”, thotë drejtori menaxhues, Adem Morina, duke u pronocuar në emrin e Alba Festivalit. Në vitin 2023, festivali u anulua në një njoftim të shkurtër, pasi qyteti i Cyrihut dha lejen shumë vonë, sipas organizatorëve, shkruan albinfo.ch. Ata shkruan në atë kohë se asnjë program me cilësi të lartë nuk mund të organizohej brenda vetëm shtatë javësh.
Leja e Festivalit Alba, më i madhi festival “nën qiell të hapur” i muzikës shqiptare në Evropë ishte revokuar po ashtu përmes një njoftimi të shkurtër, edhe në vitin 2021, për shkak të situatës së tensionuar të koronavirusit në spitalet e Cyrihut.
Tre muajt e mbetur të përgatitjes për festivalin që pritet të mbahet nga 21 deri më 23 qershor 2024 janë ambicioze, por të realizueshme, tha Morina. Ekipi i festivalit është shumë mirë i koordinuar dhe punon shumë profesionalisht. Ata tani duan të bëjnë një program fantastik me shumë yje të estradës shqiptare.
Me mbi 20,000 vizitorë, Festivali Alba pretendon të jetë festivali më i madh nën qiell të hapur për muzikën pop shqiptare në Evropë, përcjell albinfo.ch. Ai konsiderohet nga organizatorët si një “festival që bashkon njerëzit” që dëshiron të bëjë “bukurinë dhe diversitetin e kulturës shqiptare” të prekshme për të gjithë.