Më shumë se gjashtëdhjetë vjet i janë dashur një vjedhësi të dikurshëm për të vendosur që t`ia kthejë të zotit paratë e vjedhura. Kjo ka ndodhur në Seatle të SHBA-së, kur një zotëri i moçëm ia ka kthyer një zotërie po ashtu në moshë, paratë që ia kishte “huazuar” pa dijen e këtij tjetrit.
Për më tepër me paratë e kthyera, hajni i ndërgjegjësuar ia ka llogaritur edhe kamatën, ka njoftuar televizioni lokal King TV.
Në zarfin ku kishte futur 100 dollarë, ai kishte vënë edhe një letër , ku i kishte sqaruar të zotit të parave, se diku nga fundi i viteve të dyzeta të shekullit të kaluar ai i kishte vjedhur 20 deri 30 dollarë nga një arkë .
Pronari “fatlum” i parave të kthyera i ka thënë televizionit se, si duket vjedhësin e dikurshëm do ta ketë brejtur ndërgjegjja gjatë gjithë kësaj kohe . Ai do ta dhurojë këtë shumë të hollash për një veprimtari bamirëse.