14 korriku do të jetë datë që do të mbahet mend për familjen Ejupi.
Mexhid Ejupit, përfundimisht po i realizohet ëndrra që pas shumë vitesh të vizitojë Kosovën.
49 vjeçari, për shumë vite kishte ndjekur zhvillimet në vendlindje vetëm nga televizioni dhe nga bashkatdhetarët që i sillnin lajme herë pas here pas pushimeve në Kosovë.
As shpalljen e pavarësisë po as pas tre vjetëve të pavarësisë, Mexhidi nuk kishte arritur ta përjetonte vendlindjen.
Ai bashkë me familjen e tij ishte i privuar nga kjo e drejtë për shkak të statusit të parregulluar në Zvicër nga mungesa e dokumenteve të vendit të prejardhjes.
©albinfo.ch
Për shkaqe ekonomike, Mexhidi kishte marrë rrugën e kurbetit sikur edhe shumica e kosovarëve tjerë. Mirëpo që atëherë familja e tij kishte mbetur me status të refugjatit…
“Shteti zviceran i ka ndjekur procedurat e rregullta ligjore, ne si familje jemi detyruar t’i respektojmë ligjet e këtij vendi, dhe ja, kemi mbetur me këtë status deri sot”, ka sqaruar Mexhidi.Ai e paramendon Kosovën shumë më ndryshe se para 20 vjetësh kur e kishte braktisur për herë të fundit.
“Në televizion duket që është ndërtuar shumë, por ndryshe është kur ta shikosh me sytë e tu”, tha Mexhid Ejupi.
Ai thotë ta ketë marrë malli më shumë për familjarët, që do t`i vizitojë të parët.
“Fëmijët e vëllezërve i kam lënë të vegjël, nuk e kam pa rriten e tyre. Kam frikë që nuk do të më njohë askush. Shumë njerëz nuk do t`i gjej më ngase brenda 20 vjetëve shumica prej tyre kanë ndërruar jetë”, ka shprehur shqetësimin 49 vjeçari nga Gadimja…
©albifno.ch
Dy fëmijët e Mexhidit, Amari dhe Xheneta mezi po presin ta shohin Kosovën.
“Shpresoj të mos zhgënjehen me zhvillimet atje”, thotë Ejupi. Familja katër anëtarëshe Ejupi nga Gadimja e Lipjanit me qëndrim në një lagje të Schafausenit u është mirënjohëse zyrtarëve konsullorë të Kosovës, që e kishin proceduar rastin e tyre tek autoritetet zvicerane për migracion në bazë të një marrëveshjeje që kishte arritur Ambasada e Kosovës, në Bernë.
Kjo marrëveshje më nuk është në fuqi, ngase prej 1 qershorit konsullatat kosovare kanë nisur me dhënien edhe të letërnjoftimeve, që ishte kusht për të marrë pasaportë të Kosovës.Deri më 1 qershor, të gjithë shtetasit kosovarë që gëzojnë ende statusin e refugjatit në Zvicër, përkatësisht posedojnë leje të përkohshme qëndrimi (F), me ndihmën e përfaqësive konsullore të Republikës së Kosovës kanë mundur të udhëtojnë për në Kosovë dhe të kthehen sërish në Zvicër.
©albinfo.ch: Dhurata Selimi
Këtë e ka bërë të ditur për Albinfo, Konsullja e Kosovës në Cyrih, Dhurata Selimi, e cila e kishte proceduar rastin e familjes Ejupi.
Ajo tha se deri tashti janë proceduar rreth 20 raste në Konsullatën e Kosovës në Cyrih.
„Përjashtim është bërë për ata të cilët urgjentisht duhet të udhëtojnë për në Kosovë për t`u pajisur me dokumente udhëtimi“, ka thënë konsullja e Konsullatës së Kosovës në Cyrih, Dhurata Selimi.
Shifrat e fundit të Entit për Migracion të Zvicrës flasin për rreth 3000 kosovarë që ende nuk e kanë të rregulluar statusin, duke gëzuar vetëm lejen e përkohshme të qëndrimit (F), si refugjatë.
Me fillimin e lëshimit të letërnjoftimeve nëpër konsullatat e Kosovës do të zgjidhet statusi i tyre.
Qendrat për Migrim në Zvicër po kërkojnë nga qytetarët me leje qëndrimi (F) që të pajisen me pasaportat e Kosovës, në mënyrë që të mund të marrin leje qëndrimi (B), kanë bërë të ditur zyrtarë konsullorë.