Dhjetë partitë politike në Zvicër kanë raportuar të ardhura në total prej 22.4 milionë frangash (28 milionë dollarë) për vitin 2024, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Federale e Auditimit (SFAO). Shuma është dukshëm më e ulët krahasuar me vitin 2023, kur partitë kishin deklaruar 26.3 milionë franga, vit në të cilin u mbajtën zgjedhjet federale, shkruan Swissinfo, transmeton albinfo.ch.
Partia Social Demokrate (SP) e krahut të majtë ka raportuar të ardhurat më të larta, në vlerë prej 8.2 milionë frangash. Ajo pasohet nga Partia Radikale-Liberale (FDP) me 3.4 milionë franga, Partia Popullore Zvicerane (SVP) me 2.8 milionë dhe Partia e Qendrës me 2.6 milionë franga.
Nga partitë e tjera, Partia e Gjelbër ka raportuar 1.8 milionë franga dhe Partia Liberale e Gjelbër 1.2 milionë. Ndërkohë, Bashkimi Federal Demokratik, Partia Protestante, Lëvizja Qytetare Gjenevase (MCG) dhe Lega dei Ticinesi kanë raportuar të ardhura më të vogla, secila nën 1 milion franga, transmeton albinfo.ch.