Partitë politikë në Maqedoni po bëhen gati për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 15 tetor. Ato janë pranë zyrtarizimit të kandidaturave për 80 komuna dhe Shkupin, si njësi e veçantë e administrimit lokal, që në përbërjen e tij ka dhjetë komuna urbane.
Nga këto komuna, 16 janë me shumicë shqiptare. Në to, pritet të zhvillohet një garë e fortë elektorale mes partive politike shqiptare, si në Tetovë, Gostivar, Strugë, Kërçovë, Dibër, Çair dhe komuna tjera rurale.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që aktualisht drejton shumicën e këtyre komunave, pritet që të zyrtarizojë edhe për një mandat shumicën e kryetarëve aktual, si Teuta Arifin në Tetovë, Nevzat Bejtën në Gostivar dhe Fatmir Deharin në Kërçovë, raporton “Evropa e Lirë”.
Partitë tjera më të mëdha shqiptare, si Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, pritet të jenë konkurrentët më të fortë të BDI-së dhe që të hyjnë në garë sa më të përgatitura, kanë shqyrtuar mundësinë e një koalicioni të mundshëm, përcjell albinfo.ch.
Por, nga LSDM-ja e cila prezanton konceptin qytetar, thonë se në garë do të hyjnë edhe me kandidatë shqiptarë.
VMRO-ja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski ka zyrtarizuar kandidatët në më shumë komuna. Kjo parti aktualisht udhëheq në mbi 50 komuna, por pas ndërrimit të pushtetit qendror pritet betejë e ashpër me LSDM-në në pushtet.
Gara kryesore do të zhvillohet në Shkup, por edhe në qytete tjera më të mëdha si në Kumanovë, Manastir, Prilep, Ohër, Strumicë e komuna të tjera.