Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se Qeveria do të duhej të merrej me prioritete të tjera, siç janë pandemia, sigurimi i vaksinave dhe ekonomia.
Ai ka bërë me dije se partia e tij nuk e përkrah nismën e Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet.
Ai ka shtuar se reforma zgjedhore është e rëndësishme, mirëpo sipas tij, pandemia është çështje prioritare, shkruajnë mediat vendore, përcjell albinfo.ch.
Nisma Socialdemokrate ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës, për amandementimin e Ligjit për zgjedhje, duke e quajtur si një tendencë për të kapur në tërësi shtetin.
Përmes një komunikate për media Nisma Socialdemokrate vlerëson se amandementimi i Ligjit për zgjedhje pa konsesus mes të gjitha partive politike pozitë dhe opozitë dëshmon që Vetëvendosje nuk e ka prioritet as pandeminë, as demokracinë dhe as zhvillimin ekonomik të vendit.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar, duke mos e përkrahur nismën nga LVV.