Parlamenti Nacional ka votuar kundër heqjes së shërbimit të detyruar ushtarak. Këtë vendim parlamenti e ka marrë si përgjigje ndaj iniciativës parlamentare të bërë nga deputetja e Partisë Socialdemokrate, Evi Allemann.
Kjo e fundit ishte angazhuar për një ushtri vullnetare që do t`i zinte vendin ushtrisë së sotme, që rekrutohet me detyrim. Sipas Allemann, shumë shtete të Evropës tashmë kanë braktisur modelin e shërbimit ushtarak të detyruar.
Qëndrimin kundërshtues parlamenti do ta mbajë deri sa të mos sqarohet modeli dhe përmbajtja e ushtrisë së ardhshme zvicerane, njofton drs.ch.
Po kështu, kundërshtarët e arsyetuan qëndrimin e tyre me të dhënën se shndërrimi i ushtrisë së sotme në një ushtri vullnetare ose profesioniste nuk përkrahet nga populli.