Parlamenti Evropian ka miratuar nisjen graduale të sistemit të ri të kontrollit kufitar për shtetasit jo të BE-së, i njohur si Entry/Exit System (EES), i cili do të eliminojë vulosjen manuale të pasaportave.
Ky sistem do të regjistrojë automatikisht datën e hyrjes dhe daljes së vizitorëve, të dhënat biometrike si gjurmët e gishtave dhe imazhin e fytyrës, me synim përmirësimin e sigurisë dhe përshpejtimin e kontrolleve kufitare.
Megjithatë, janë ngritur shqetësime se mund të ketë vonesa për udhëtarët që hyjnë në Europë me tren, traget apo avion, veçanërisht në terminale si ai i Eurostar në Londër.
Ligji u miratua me 572 vota pro dhe 42 kundër dhe parashikon që brenda gjashtë muajve sistemi të vihet plotësisht në funksion në të gjitha pikat kufitare të vendeve anëtare. Data e saktë e hyrjes në fuqi do të përcaktohet nga Komisioni Europian pas publikimit zyrtar.