Autoritetet në Prishtinë vazhdimisht kërkojnë donacione ose marrin hua nga institucionet monetare ndërkombëtare për investime në Kosovë, ndërsa kapitali i vendit vazhdon të qarkullojë nëpër tregjet botërore. Llogaritet se rreth 1.9 miliard para të Kosovës mbahen në tregjet financiare ndërkombëtare.
Rreth 1. 2 miliard euro ka arritur Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), ndërsa 0, 7 miliard janë para nga privatizimi i ndërmarrjeve publike. Këto investime janë të shtrira në 61 shtete të botës, apo në afër 2000 emetues botërorë, raporton REL.
Jeton Demi është zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës. Ai ka thënë se vlera më e madhe e mjeteve janë të investuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britani të Madhe, Francë, Kosovë, Gjermani, Japoni dhe Kanada.
Kurse, Fondi i mirëbesimit nga privatizimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, sipas të dhënave të kësaj agjencie, ka arritur shumën prej rreth 700 milionë eurosh, të cilat deponohen në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, e prej aty investohen në tregjet e jashtme.
Mos-futja e mjeteve të Trustit dhe të Fondit të Privatizimit në tregun kosovar, është kritikuar shumë herë nga ekspertë për çështje ekonomike.
Ismail Kastrati, njohës i çështjeve ekonomike vlerëson se mjetet që mbahen të ngrira jashtë territorit të Kosovës duhet të trajtohen në forma të veçanta.
“Trusti i Pensioneve është kursimi i qytetarëve të Kosovës që një pjesë të pagave të tyre e ndajnë për të siguruar një pleqëri të rehatshme. Kurse, Fondi i Privatizimit është diçka krejt tjetër. Prandaj, ky fond nuk mund të shfrytëzohet para se të shpërbëhet AKP-ja apo para se të zgjidhen të gjitha kërkesat pronësore – kredituese apo juridike”, thotë Kastrati. Kastrati, ndërkaq, konsideron se me këto mjete, Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një bankë investuese, në mënyrë që ta ndihmojë sektorin privat.
Edhe Naim Gashi, profesor i ekonomisë, thekson se shfrytëzimi eventual i mjeteve të Trustit është proces më i ndjeshëm, por Fondin e Privatizimit, siç tha ai, gradualisht Qeveria, me pëlqimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, duhet të mendojë që ato mjete t’i kthejë në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës.
“Mbajtja e Fondit të Privatizimit jashtë Kosovës mendoj se është e paarsyeshme, sepse pas mbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, tashmë Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës i kanë duart e lira që të menaxhojnë me ato fonde”, thekson Gashi.
Por, Naim Gashi thotë se autoritetet kompetente duhet të marrin praktika nga Britania e Madhe për lejimin e linjave kreditore për sektorë të caktuar ekonomikë me kamata 2 deri në 3 për qind.
“Këtë punë do ta kryenin bankat komerciale, mirëpo shteti nuk do të krijonte përfitime nga to, vetëm do të bënte kthimin e atyre mjeteve dhe riinvestimin e tyre për zhvillim ekonomik. Ndërsa, kamata për 2 ose 3 për qind për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe sektorin e bujqësisë do të përdorej vetëm në rast të rrezikut nëse ndonjë nga bizneset mund të falimentojë dhe eventualisht nëpërmes asaj kamate, të mbuloheshin humbjet e atij fondi”, shpjegon Gashi.