Javën që vjen moti në Shqipëri po parashikohet të vijojë të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike, ndërsa pritet një tjetër valë e të nxehtit.
Kjo situatë vjen përsëri si pasojë e masave ajrore të nxehta me origjinë afrikane.
Megjithatë, ndryshe nga javët e para të korrikut, kjo valë e të nxehtit vjen më e “zbutur” dhe zgjat vetëm pak ditë me temperatura relativisht të larta.
Në këtë mënyrë vetëm për ditën e hënë dhe atë të martë (duke mos përjashtuar këtu ditën e premte) pritet që temperaturat në vlerat e mesditës të kapin vlera 39-40 grad celcius, ndërsa më pas për ditët e tjera temperaturat mbeten në vlera të larta, por janë vlera që përfshihen në mesataren klimatike mujore për Shqipërinë, përcjell albinfo.ch.
Nga sa kuptohet dhe më lart moti parashikohet i kthjellët në gjithë territorin për të gjitha ditët dhe orë të plota me diell.
Për të gjithë pushuesit pranë bregdetit (dhe jo vetëm) problematike për ditën e hënë dhe atë të martë do të jetë era, e cila do të fryjë relativisht intensive (dhe lokalisht intensive) me drejtim nga kudrati i veriut dhe shpejtësi mesatare deri në 8-10 m/s. Megjithatë, nga dita e mërkurë dhe më pas itensiteti i erës bie me shpejtësi mesatare 1-5 m/s dhe drejtim kryesor përsëri nga kuadrati i veriut.