Granit Xhaka ishte titullar për Arsenalin në ndeshjen kundër kampionit, Leicester City. Ky takim përfundoi pa gola, që ishte pika e parë për dy skuadrat këtë sezon, shkruan albinfo.ch.
Për dallim prej ndeshjes së parë, Xhaka në këtë takim ishte nga minuta e parë, derisa është zëvendësuar në minutën e 73-të nga Jack Wilshere.
Mesfushori i Përfaqësueses së Zvicrës kishte një ndeshje të mirë, duke dhënë shumë pasime për bashkëlojtarët e tij, por kontribuoi edhe në fazën mbrojtëse.
Reprezentuesi zviceran pati 81% të pasimeve të saktë në këtë takim, teksa bllokoi edhe katër herë goditjet e kundërshtarëve.
Edhe pse ka kaluar në verë, Xhaka shumë shpejt është ambientuar në skuadrën e re, derisa është bërë gjithnjë më i dashur për tifozët londinezë.
Valon Behrami pësoi humbje nga Chelsea. Behrami edhe në këtë takim luajti 90 minuta, duke dëshmuar se ka besimin e plotë të trajnerit.
Ndërkohë, Xherdan Shaqiri nuk luajti fare kundër Manchester Cityt për shkak të lëndimit. Skuadra e tij, Stoke pësoi humbje 4:1.