Papa Françesku, në një intervistë që i ka dhënë gazetës spanjolle “Vida Nueva” të publikuar këtë të premte (sot), ka përmendur edhe mundësinë e një vizite në Kosovë, transmeton albinfo.ch.
Intervistën ai e ka dhënë në kohën kur po takohet me qindra mijëra të rinj në Ditën Botërore të Rinisë Katolike në Portugali. Mediat e kanë pyetur gjithashtu Papën për një sërë çështjesh të tjera, duke përfshirë migrimin, negociatat e paqes për Ukrainën, Sinodin e ardhshëm Botëror dhe një Koncil të Tretë të Vatikanit dhe planet e tij të udhëtimit, përcjell edhe media zvicerane kath.ch.
Udhëtim në Kosovë
Ai do të udhëtojë në vendet e mëdha evropiane vetëm pasi të ketë vizituar të gjitha ato të voglat, tha Papa 86-vjeçar. Është duke u punuar për një udhëtim në Kosovë, por ende nuk është çdo gjë fikse, transmeton albinfo.ch. Vizita në Argjentinë (atdheu i Papës) është ende në axhendë, ndoshta “pas vitit zgjedhor”, konfirmoi Françesku.
Shumë vëzhgues vërejnë me kujdes se ai nuk e ka vizituar ende vendin e tij në dhjetë vjet si Papë. Ai gjithashtu ka në mendje Uruguain.