Papa Françesku edhe një herë tjetër ka dalë në mbrojtje të imigrantëve. Këtë herë Papa e shfrytëzoi Meshën e Krishtlindjes për t’i krahasuar imigrantët me disa nga figurat më emblematike të krishterimit, të cilët gjithashtu kishin hasur në vështirësi për të gjetur strehim.
Françesku, i cili festoi Krishtlindjen e tij të pestë si udhëheqës i mbi një miliardë katolikëve të botës, udhëhoqi Meshën solemne të ndjekur nga 10,000 besimtarë në Bazilikën e Shën Pjetrit.
E shumë besimtarë të tjerë meshën e përcollën në shesh. Papa Françesku gjithashtu bëri thirrje për një “imagjinatë të re shoqërore”, në të cilën askush nuk duhet të ndihet se nuk ka vend për ta në tokë.