Rreth 65.000 vizitorë janë shënuar në hyrjen e panairit të 43-të Art Basel, i cili ka mbyllur portat e tij të dielën. Siç deklarojnë drejtuesit e panairit, numri i vizitorëve është i barabartë me atë të vitit të kaluar, që ishte rekord deri atëherë.
Por, panairi i sivjetëm është dalluar për shitjet e shumta dhe në të gjitha kategoritë e çmimeve.
Panairi më i madh në botë i artit ka prezantuar të gjitha gjinitë e arteve pamore, përfshirë punimet dhe instalacionet me çmime milionëshe dyshifrore.
Dita e parë dhe e dytë e panairit që ishte hapur të martën e kaluar, ishte rezervuar për vizitorët me shumë para. Po ashtu ishin bërë ftesa për vernisazh në një tirazh të kufizuar, gjë që ka ngjallur edhe qëndrime kritike.
Panairi i sivjetmë ka bërë bashkë punime të ardhura nga më shumë se 300 galeri të arteve, me vepra të më shumë se 2500 artistëve nga 36 shtete të 6 kontinenteve.