Të dielën, më 6 nëntor, prej orës 16:00, Behgjet Pacolli do të jetë në Hotel Belvoir, Adresa: Saumerstrasse 37, 8803 Ruschlikon, në Cyrih.
Ky takim është organizuar nga dega e AKR-së në Zvicër me tematikë zhvillimin ekonomik dhe punësimin.
Nga organizatori është njoftuar se në këtë debat të hapur për qytetarë do të trajtohen tema me rëndësi ekonomike e politike për Kosovën, Trepça, vizat e tema të tjera aktuale.
Me këtë turne në Kosovë dhe në diasporë, Pacolli po duket të jetë mobilizuar për një rikthim në politikën e Kosovës, pas rënies që kishte pasur në zgjedhjet parlamentare kur nuk kishte arritur ta kalonte pragun zgjedhor.
“Pacolli në këto takime ka kritikuar qeverisjen e Kosovës, familjarizimin, nivelin e lartë të korrupsionit dhe gjendjen e pashpresë të rinisë së Kosovës, duke paraqitur njëkohësisht vizionin dhe përkushtimin e tij për një qeverisje dinjitoze, për punësim dhe zhvillim ekonomik”, thuhet në njoftimin e Degës së AKR-së në Zvicër, përcjell albinfo.ch.
Dega e AKR-së në Zvicër u bën ftesë publike të gjithë qytetarëve të Kosovës me qëndrim në Zvicër që të marrin pjesë në këtë takim, siç thuhet, fuqizues për konsolidimin e AKR-së me qëllim të përmirësimit të gjendjes ekonomike e politike në Kosovë.
