Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka propozuar që mjetet që i marrin veteranët e rrejshëm, të shkojnë te familjet e atyre që kanë humbur të afërmit e tyre gjatë kohës së luftës, të vrarë, të zhdukur, apo të gjymtuar e dhunuar.
Ai ka shkruar në Facebook se po ndjek me vëmendje debatin për çështjen e veteranëve të rrejshëm dhe e mirëkupton qëndrimin e aleatëve amerikanë rreth saj.
“ Miqtë na ndihmojnë financiarisht dhe kanë të drejtë të dinë ku përfundojnë paratë e tyre. E mirëkuptoj dhe shqetësimin e shoqërisë civile. Nuk kam asnjë koment për çështjen sa kohë që po heton Prokuroria, unë jam politikan dhe nuk dua të ndikoj te drejtësia. Por, kam një propozim; nëse zbulohet se në lista ka veteranë të rrejshëm, unë do të propozoj që mjetet që i merrnin ata, të shkojnë te familjet e atyre që kanë humbur të afërmit e tyre gjatë kohës së luftës, të vrarë, të zhdukur, apo të gjymtuar e dhunuar. Shteti i Kosovës, shoqëria iu ka borxh këtyre familjeve që kanë një, dy apo më shumë viktima”, ka shkruar Pacolli.