Organizata humanitare austriake “ADRA” edhe këtë vit kanë menduar që në prag të festës së Krishtlindjes t’i gëzojë me dhurata fëmijët shqiptarë.
Që nga muaji shtator, siç pati njoftuar edhe “albinfo.ch”, kjo organizatë kishte filluar aksionin “Fëmijët ndihmojnë fëmijët” për grumbullimin e dhuratave që destinacion e kanë Shqipërinë dhe Lituaninë.
Ndërkohë siç raporton “meinbezirk.at” nga ky aksion janë grumbulluar 186 paketa me dhurata dhe 560 euro ndihmë. Këto ndihma janë grumbulluar nga fëmijët e kopshteve në Stegersbach, Burgauberg, Stinatz, Großpetersdorf dhe Schachendorf.
Paketat e dhuratave dhe të hollat e grumbulluara, do të shpërndahen për fëmijët në jetimore, në strehimoret e grave, në qendrat për fëmijë me aftësi të kufizuara dhe në vendbanime të varfra, ka thënë organizatori Roman Koger.