Dialogu me Serbinë duhet të kthehet në pikën zero, dhe bashkë me këtë duhet të shkohet në zgjedhje të reja për të fituar legjitimitetin politik, kanë thënë përfaqësuesit e opozitës dhe shoqërisë civile në tryezën e organizuar për kushtetutshmërinë dhe përgjegjësitë institucionale në procesin e dialogut me Serbinë.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, deklaroi se dialogu me Serbinë nuk duhet të udhëhiqet nga, siç i cilësoi ai, pseudo-ekipe, por nga institucionet legjitime.
“Nuk negociohen kufijtë, Kosova duhet të ketë një platformë, por vetëm duke i pasur parimet kryesore të dialogut”, theksoi Hoti, përcjell albinfo.ch.
Për shefin e Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, dialogu është përfshirë nga dy pazare, i pari, sipas tij, ka të bëjë me dorëzimin e kryeministrit Haradinaj karshi presidentit, Thaçi. E pazari i dytë, Konjufca, e konsideron përkrahjen e PSD-së, për këtë dialog me Serbinë.
“Dialogu me Serbinë nuk duhet të vazhdojë në këtë mënyrë, se i mungon legjitimiteti politik, një proces të tillë Kosova duhet të kthejë në pikën zero. Pika zero e këtij procesi shkon dorë për dore me zgjedhjet e reja në Kosovë”, tha ai.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, bashkë me deputeten e VV-së, Albulena Haxhiu, përsëritën pretendimet e tyre se në cilat nene Ligji për Dialogun e shkel Kushtetutën e Kosovës.