Organizata që përfaqëson interesat e oficerëve të Zvicrës (SOG) ka kërkuar që buxheti vjetor i Forcave të Armatosura të Zvicrës të jetë së paku 5 miliardë franga. Kjo shumë duhet të parashihet në planin vjetor i cili duhet të përfshijë 20 miliardë franga.
Ajo po ashtu ka kërkuar që numri i ushtarëve të mos ulet nën 100. 000 madje një mundësi që në rast të vlerësimit të situatës ky numër të rritet deri në 140 mijë.
Këto kërkesa i kanë shqiptuar oficerët zviceranë në asamblenë deleguese që e kanë mbajtur të shtunën në Locarno dhe ia kanë drejtuar Parlamentit Nacional.
Ata më tutje kanë miratuar një dokument me të cilin kërkohet që kohëzgjatja e kurseve të stërvitjeve të mbetet tri javë siç është edhe sot. Një kërkesë tjetër e oficerëve zviceranë që është miratuar në asamblenë e tyre ka qenë që qasja në shërbimin civil gjatë dhe pas rekrutimit të bëhet më e vështirë.
Delegatët ia kanë vërtetuar edhe për një vit mandatin kryetarit aktual Denis Froidevaux.