Komisioni për Arsim i Dhomës së Kantoneve në Parlamentin e Zvicrës ka kërkuar masa për nxitjen e integrimit të refugjatëve n në tregun e punës. Me 7 vota pro, 1 kundër dhe dy abstenime, ky komision ka mbështetur një mocion përkatës të Dhomës Nacionale, shkruan nzz.ch.
Mocioni në fjalë kërkon nga qeveria federale që, në kuadrin e iniciativës për fuqi profesionale pune, të fillojë një ofensivë për kualifikimin e refugjatëve me status të pranimit të përkohshëm, transmeton albinfo.ch.
Kjo ofensivë do të përfshinte si njohuritë bazike të punës ashtu dhe drejtimet specifike profesionale.
Komisioni i përmendur është shprehur i bindur se në këtë mënyrë mund të stimulohet integrimi shoqëror i refugjatëve. Veç kësaj, një integrim i qëndrueshëm në tregun e punës kontribuon edhe në kursime në sektorin e ndihmave sociale.
Po ashtu përmes kësaj do të arrihet shfrytëzimi më i mirë i potencialit vendor të fuqisë së kualifikuar punëtore.